RSS

Veshjet popullore dhe zejtaritë artistike

27 Qer

Parathënie

Në jetën e popujve, ka disa veshje që dallohen prej të tjerave,të cilat janë trashëguese dhe transmetuese të shumë elementeve që vijnë nga lashtësia dhe nga koha e mesme por njëkohësisht janë edhe shprehje e marrëdhenieve kulturore me popujt e tjerë dhe të cilat pa dyshim janë një nga manifestimet më të fuqishme të kulturës se një populli
Për kombin shqiptar këto janë veshjet popullore
Duke parë rëndësine që këto veshje kanë në identitetin e kombit dhe rolin që luajnë në etnitetit dhe kulturën e kombit shqiptar ketë shkrim mendova tia kushtoj kësaj industrie familjare.
Kjo detyrë është një përpjekje modeste e imja rreth historisë së kësaj industrie familjare dhe veshjeve të kësaj zone të cilat lanë një shenjë në kulturën shqiptare.
Arsyeja që më çoi për të folur për ketë traditë historike është :se unë i përkas një zone që e ka pasur traditë dhe vazhdon ta ruaj akoma ketë artizanat familjar dhe traditën e veshjeve popullore.
Arsyeja tjetër është se në ketë zonë (Kukësi)ka qenë i njohur artizanati i cili me prodhimin e saj arriti që të tregojë artin edhe në vende të tjera botërore.
Çfarë na nevojitet ta dijmë rreth artizanatit dhe kostumeve të kësaj zone,jam munduar ta paraqesë brenda këtij shkrimi .
Gjithashtu në ketë shkrim sqarohen,edhe disa nga shkaqet se si ka arritur ti rezistojë deri në ketë kohë ky art në ketë zonë

Hyrje

Veshjet popullore dhe zejtaritë artistike
Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Evropës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë evropianë. Në Malësinë e veriut çdo fis, bile çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo.
Shqiptarët, janë aq të çmuar për ketë traditë dhe kulturë popullore ,të cilën e kanë ruajtur dhe vazhdojnë ta ruajnë edhe në ditët e sotme .
Shqipëria është e njohur për një traditë të pasur të artizanatit me vlera te çmuara nga mjeshtërit popullorë në çdo krahinë të saj ,e vendosur sipas karakteristikave dhe traditës të zonave të ndryshme gjeografike ,duke u bërë e larmishme me shumëllojshmërinë e saj dhe paraqitjen estetike të objekteve të cilat arritën një kulm të madh në ketë fushë
Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ‘30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Madje edhe në kohët e fundit edhe pse është gjë e rrallë të shohësh burra dhe gra të cilat përdorin veshje popullore, ato të paktën i sheh në disa raste gëzimi.
Përveç veshjeve një vend të veçantë në ketë kulturë shqiptare ka zenë edhe artizanati si industrial ashtu edhe familjar
Ndër këto punime spikatin punimet e drurit, hekurit, bakër, lëkurë dhe leshi të cilat janë një dëshmi e fortë e identitetit tonë kombëtar,këto vlera të trashëguara brez pas brezi kanë ngjallur gjithnjë një interes të madhë si te vizitorët edhe te studiusit vendas dhe të huaj.Përveç punishteve të ndryshme që kryenin një aktivitet të madh kemi edhe punishtet familjare.
Duke u referuar në disa libra dhe burime të tjera që i përkasin kësaj fushe, në ketë detyrë do të mundohem të sqarojë disa nga çështjet që kanë të bëjnë me artizanatin dhe veshjet kombëtare,si dhe rolin që kanë luajtur në kulturën e Kombit.Dhe në fund trajton përballjen e këtij arti me kohët e sotme dhe rezistimin e saj.
Qëllimi i këtij shkrimi është të shqyrtojë rëndësinë e kësaj vlere kulturore
Detyra është e ndarë në dy kapituj,në kapitullin e parë shtjellon veçoritë ,llojet e veshjeve dhe përdorimin e tyre
Në kapitullin e dytë , trajton artizanatin familjar ,rrugët që quan drejt këtij zanati si dhe vlerat që bart në vete ky art.
Dhe në fund shkrimi përfundon me një mbyllje për ketë art fshatar.

Kreu I

Veshjet popullore ne Kukës
Kur flasim për veshjen shqiptare, thotë Faik Konica, ka aq kostume shqiptare sa ka edhe krahina. Vizitorët e huaj, që e kanë shëtitur Shqipërinë ,kanë vërejtur se kostumet popullore shqiptare janë të bukura e befasuese.
Për ketë dallohen disa qytete të cilat e kanë ruajtur dhe mundohen ta ruajnë akoma edhe sot ketë traditë dhe vlerë kombëtare .Ndër këto qytete dallohet Kukësi i cili ka qenë një burim i artizanatit shqiptar që në kohët e hershme. Prodhimet e artizanatit kuksian, janë në vazhdën e traditave shekullore që datojne,që nga koha Ilire.
Ka qenë shumë e lashtë tradita e poçerise, e cila në rrethanat e sotme mund të konsiderohet e zhdukur. Vetëm disa dekada më parë, në varret e zbuluara gjatë kërkimeve arkeologjike, në fshatin Kolsh, në afërsi të Kukësit, janë gjetur objekte poçerie, të zbukuruara me vizatime artistike, e të prodhuara nga vendasit.
Por një përdorim të hershëm dhe i cili vazhdon të ruhet edhe pse jo në mase në kohët e sotme janë .
Punimet e leshit të cilat e kanë bërë ketë vend gjithmonë tërheqës dhe kontribues të një kulture të veçantë.
Një vend të rendësishëm tek punimet e leshit zë përgatitja e kostumeve tradicionale popullore të grave dhe burrave.
Sipas traditës së vjetër të popullit, të gjitha vajzat e reja pa përjashtim, kur martoheshin, merrnin me vehte pajën e përgatitur nga duart e tyre. Aty përfshiheshin të gjitha nevojat që do të kishte familja e ardhshme për të gjithë jetën.
Në ketë pajë vendin kryesor e zinin prodhimet e leshit, për shtroje dhe mbuloje, veshja e përditeshme për të gjithë pjestarët e familjes, e cila duhej të ishte e tillë që ti përshtatej klimës së ashpër, mënyrës së jetesës së malesorëve, e lidhur ngushtësisht me blegtorinë dhe pyjet.
Një vend të veçantë zinte kostumi tradicional i cili konsiderohet nga populli si një element identiteti që dallon krahinën nga krahina.Mirëpo këto kostume dallohen edhe për larmishmërinë dhe koloritin e veçantë që kanë edhe brenda një krahine biles ky dallim është aq i madhe sa edhe brenda Kukësit kemi një shumëllojshmëri kostumesh që dallojnë nga një zonë në tjetrën si :
 Kostumi i Bushtricës
 Kostumi i Shishtavecit
 Kostumi i Lumës
Këto kostume mund ti ndajmë në kostume burrash dhe kostume grash.

Kostumet e burrave

Kostumet e burrave janë të gjitha të punuara nga shajaku, dhe kanë më shumë elemente të përbashkët.
Tirqit janë një elementi tipik i veshjes së burrave të cilët kanë formën e pantollonave të ngushta prej shajaku (më të shumtën e rasteve të bardhë dhe më rrallë të zi ose të murmë). Këto tirqi zbukuroheshin anash me gajtan varësisht nga ngjyra që kishin tirqit por gajtani bëhej në ngjyrë të kundërt.Përgjithësisht ato lidhen poshtë belit (në kërdhokëll) shoqëruar edhe me një brez të lesht me vija disangjyrëshe.
Në pjesën e sipërme vishej një këmishë me mëngë të gjata, jelek pa mëngë dhe xhamadan me mëngë të gjata, të dy prej shajaku. Në stinë të ftohta mbi xhamadan vishej edhe një xhaketë (prej shajaku me ngjyrë të zezë) me mëngë të shkurta dhe me jakë marinari e quajtur koparane.
Pjesë e veshjes së burrave është edhe qeleshja që në disa vende njihet me emrin qise ajo përbëhej nga shajaku por e punuar në mënyre specifike e cila merrte formën e nje trung koni me një gjatësi 25 cm. Dhe është i vetmi element veshje i cili përdoret në jetën e përditshme edhe sot nga një pjesë burrash të moshuar .
Opingat janë një element tjetër i veshjes popullore me traditë të vjetër e cila nuk është vetëm karakteristike për Kukësin por ka një shtryrje mbarëshqiptare. Por ka një përdorim të vjetër edhe në ketë zonë dhe përdoret si pjesë e kostumeve popullore .Lloji më i thjeshtë ishte një copë lëkure e vetme në formë katërkendëshi buzët e së cilës rrudheshin me rripa të hollë lëkure duke u afruar pas këmbës pastaj shtërngoheshim me norta (gjalma të cilët ishin të përgatitur nga leshi) .Në disa raste opinga thurrej nga faqja e sipërme dhe zbukurohej .Për opingat përdorej lëkura e lopës.

Kostumet e grave

Ashtu si tek burrat edhe te gratë kemi një lloj veshje të veçantë e cila ndryshe nga burrat veshjet e grave kanë një dallim të madhe e cila dallon nga një zonë në tjetrën.Gjithashtu dallimi bëhej edhe nga mosha,ndryshe vishej një vajzë ndryshe vishej një nuse e re dhe ndryshe vishej një grua e moshuar dallimi më i theksuar ishte ke ngjyrat e veshjes .
Veshja me dymyja . Emërtimi i këtij tipi përcaktohet nga një lloj pantallonash shumë të gjëra dhe më ngjyrë të zezë por nuk përjashtoheshin edhe ngjyrat tjera, këto dymyja siç quhen në gjuhën popullore zbukuroheshin te këmbët me ca kembëza të bëra me shtiza të cilave u jepnin një formë zigzage .Në pjesën e sipërme të trupit gratë e veshura me Dymyja vishnin këmishë të shkurtër, jelek ose mitan. Në këmbë mbathnin çorape leshi me shumë ngjyra. Gjithnjë mbi dymyja në pjesën e përparme vishej edhe një përparje prej leshi e zbukuruar me kuadrate disa ngjyrëshe. Ndërsa në kokë mbanin shamia (riza) njëngjyrëshe të lidhura nën gushë, pa i palosur në formë trekëndëshi.
Por siç e thamë më sipër ndryshimi ishte ke ngjyrat ,ndryshej vishej një nuse e re ndryshe një vajzë dhe ndryshe vishej një grua e moshuar.
Nusja e re vishej me dymyja të cilat ishin nga mëndafshi sipër veshej me një këmishë në shumë raste ajo ishte nga kremi dhe me mëngë të gjëra dhe sipër veshte një jelek. Gjithmonë mbi dymija në pjesën e përparme vishej një përparje e cila ishte e përbërë nga një pëlhurë e bardhë por nuk përjashtoheshin edhe ngyrat e tjera të hapura si bojëqielli dhe jeshile e hapur, kjo përparje ishte e qëndisur ,herë pritej në formë katrore herë në harkore.Në kokë vendoste shaminë e bardhë në formë trekëndeshi të zbukurar anash me rruza të cilën herë e lidhin rreth kokës, herë e fusnin pas qafës dhe i kaloni cepat përpara.
Dymyjat janë ndoshta i vetmi element veshje i grave i cili jeton akoma edhe në ditët e sotme .Nuk perjashtohet rasti qe edhe sot të shohësh gra të moshuara të cilat i përdorin dymyjat në jetën e përditshme biles edhe në zonat fushore ku kanë migruar.

Kreu II

Zejtaritë artistike
Punimi me shtiza është edhe kjo një traditë e vjetër që ka zënë vend në zonën e Kukësit dhe më gjerë por për ketë dallohet Kukësi . Që nga përpunimi i leshit tjerrja dhe deri ke shtizat vazhdon të ruhet ky art edhe në kohët e sotme ndoshta jo në përgjithësi por ruhet akoma .Duke qenë se një veshje të tillë e bejnë detyrim edhe kushtet klimatike. Ku gruaja malsore në të kaluarën, me duar të arta, në dritën e diellit dhe të pishës, ajo thurte në një mënyrë delikate me shtiza.Një ndër këto punime që behën me shtiza ishin, që nga pelenat e fëmijve e deri ke çorapet ,fanellat dhe jelekët .
Punimi me Veke (Avlemend)
Një vend të veçantë dhe të rëndësishëm tek punimet e leshit i cili vazhdon të ruhet edhe në ditët e sotme është punimi i qilimave dhe sexhadeve dhe hirameve nga dora e grave Kuksiane.
Qilimat e sixhadet e prodhuara nga gratë kuksiane janë të një cilësie të lartë, të bukura dhe shumë të preferuara si në tregun shqiptar dhe të huaj. Këto prodhime para dy dekadave eksportoheshin nga Shqipëria në disa vende të Europës, dhe ishin tepër të kërkuara. Prodhimet e artizaneve Kuksiane , kanë qenë po aq të famshme, sikurse dhe prodhimet e artizaneve të Krujës.
Biles ka gra kuksiane që e kanë bëre edhe si burim jetese punimin me vekë (Avlemend) të cilat punojnë me kërkesa nga farefisi. Ku ata shpjegojnë teknologjinë interesante të ndërtimit të sixhadesë duke folur për dendësinë e nyjave, që varion nga 250 mijë deri 350 mijë nyje/m2 sipas cilësisë dhe teknikës. Në Kukës në kohën e komunizmit ka pasur një organizim për ketë lloj zanati ku ishte punishtja e artizanatit .

Qëndisjet me gjilperë dhe grep janë një tjetër bukuri e rrallë e mjeshtërisë shtëpiake dhe asaj ze-jtare të gruas kuksiane në udhën e shekujve. Duke filluar që nga qendrat e tavolinave,tabakave,televizorit dhe deri ke jeleket e grave.Por sot në ketë kohë ky lloj arti nga qëndisja me gjilpërë është zëvendësuar në atë me rruza,i cili vazhdon të ruhet edhe në kohët e sotme dhe të marrë një përhapje të gjerë.
Këtu në ketë temë nuk mund të lemë pa përmendur edhe punimet e tjera artizanale si punimet me gurë ,hekur dhe dru.Ndër këto punime një vend të veçantë zë punimi I gurit i cili edhe pse nuk është në masë vazhdon të ruhet akoma,guri zakonisht dhe në shumicën e rasteve përdorej për dekorimin e këndeve të shtëpijave ,çesmeve etj .Kemi edhe punimin e hekurit i cili përdorej për mjete kuzhine si soba ,farashë ,magallë etj . Ndërsa druri përdorej për ene bulmeti më tepër si sheka,mti ,voza ,të cilët lidheshin me rathë hekuri dhe në disa raste përdorej edhe për Sofra, Furka, Djep dhe arka (senduk) për çiftet të cilat gdhendeshin nga artistët në një mënyrë te veçantë artistike. Por kjo traditë thuajse se ka vdekur në atë zonë dhe i vetmi element që ka arritur të jetojë ështe Djepi i cili ka të njejtin përdorim edhe në kohët e sotme.

Por a ka arritur të ruhet kjo traditë edhe në kohët e sotme ne mund të themi se vende vende ajo ruhet por jo me përmasat e dikurshme, edhe pse e braktisur nga të rinjtë të cilët kanë hequr dorë nga prodhimi dhe përdorimi i këtyre veshjeve ,i qilimave dhe sexhadeve. Edhe pse veshjeve kohëve të fundit me të madhe po i kërcënohet rreziku i zhdukjes nga kohët moderne, por edhe nga ndikimet, qofshin ato që po i bartim nga orienti, si fustanet, dallamat, stolitë, këpucët e kështu me radhë, apo nga perëndimi prej nga nuk depërton asgjë nga veshjet tradicionale përveç veshjeve të kohës në të cilën po jetojmë të cilat janë futur në masë dhe po mbjellin edhe një kulture që kurrë nuk ka qenë tek shqiptarët.

Përfundim

Në përfundim të këtij shkrimi që nuk mundem të përfshijë gjithçka që është thënë e që duhet thënë, do të thoja se për të gjithё ne nuk ka asnjë pikëpyetje se veshjet popullore dhe zejtaritë artistike në përgjithësi kanë një vlerë të veçantë dhe një rol të rëndësishëm në kulturën e kombit tonë.Ajo që ka rëndësi është se ky art ka lënë një shenjë në historinë e kombit shqiptar
Vlera e kësaj tradite , tё cilёn e kanë vlerësuar padyshim jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt ka të bëjë me një kulturë të pasur në historinë shqiptare.Theksojmё se veshjet popullore dhe artizanati në përgjithësi i dhanë jo vetëm kësaj krahine por gjithë shqipërisë një vlerë në kulturën e saj,përkrah kulturave të tjera.

Zhvillimi i artit fshatar dhe i zejtarive artistike në ketë zonë,ka qënë i lidhur ngushtë me kushtet klimatike e shoqërore të vendit. Veshjet kombëtare dhe zejtaritë artistike qëndruan të suksesshme përballë shumë luftërave që kishin rënë mbi ketë krahinë në veçanti dhe kombin shqiptarë në përgjithësi.

Por sot me urbanizimin e kësaj zone ,emigrimin e të rinjve në shtetet perendimore dhe migrimin e shumë familjeve drejt zonave industriale themi se rrezikohet kjo vlerë kulturore kombëtare.

E në fund mund tё arrijmë nё pёrfundimin se këto punime janë ruajtur origjinale dhe janë një shprehje e qartë e identitetit të kësaj zone. Kostumet kanë rëndësi për procesin studimor. Këtu pasqyrohet edhe historia e zhvillimit ekonomik e kulturor të një vendi, të një krahine e të një fshati. Raujtja e tyre është një mbrotje kombëtare.

Literatura

1-Artizanati i kukesit “Historiku”.Internet.28 prill 2012.I përdorshëm: http://artizanetekukesit.org/historiku

2- Elsie, Robert “Arti Shqiptar”.Internet.10 maj 2012.I përdorshëm: http://www.albanianart.net/postcards/postcards_al.html

3-Shahu, Ajet.Bazat e Etnologjise.Tiranë:Shblu.2010

4-Wikipedia.”Veshjet tradicionale shqiptare”.Internet .15 maj 2012.I përdorshëm: http://sq.wikipedia.org/wiki/Veshjet_tradicionale_shqiptare

Pergatiti:Sh.Bici

About these ads
 
Lini një koment

Postuar nga më Qershor 27, 2012 te Uncategorized

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

 
Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: